Tani që viti 2023 po konsumon ditët e fundit është koha që të bëhen edhe disa llogari të thjeshta që në këtë rast lidhen drejtëpërdrejtë me lojën me të ndjekur në vendin tonë që sa hap e mbyll sytë është transformuar në lojën e braktisur. A di kush të thotë se sa tifozë kishte në stadiumin “Niko Dovana” në sfidën e së premtes mes Teutës dhe Dinamos? Ndoshta me dhjetra e me pjesën dërrmuese familjarë të stafit apo zyrtarë të klubeve.
Po në ndeshjet e Kukësit apo Laçit në shtëpi? Vllaznia që dikur mburrej me “gjerdanin” kuqeblu në shkallë apo Skënderbeu krenar me “ujqërit” në shkallë? Ku kanë përfunduar sot? Dikush i nxitur nga dashuria për shtëpinë e futbollit si ngrehinë private, nxiton t’ia faturojë fajin emigrimit masiv, a thua se ata që janë larguar nga vendi janë të gjithë tifozë futbolli që për më tepër nuk mungonin në asnjë takim me skuadrën e zemrës gjatë fundjavave.
Komplekse të boshatisur në Superiore, të ngjashëm me kategoritë inferiore e madje në ndonjë rast edhe me të trishtuar se ndeshjet e Kategorisë së Dytë, a thua se në Delvinë apo Gjirokastër nuk janë larguar njerëzit? Sot futbolli është braktisur nga njerëzit sepse formula kokëfortë e imponuar me dhunë po reflekton atë frikë që kishin të gjithë, “vdekjen e nervit” gjatë sezonit të rregullt dhe ndezjen e motorit vetëm në 2 ndeshjet e fundit të sezonit. Kjo është “gjella” që na kanë gatuar, atë duhet ta konsumojmë deri në fund, madje pa bërë zë.
Nga Pirro Bardhyli