Sabah Kertoja është një emër i panjohur për shumicën e sportdashësve në Shqipëri, por sulmuesi 24-vjeçar pret që të thyejë diktatin e Celtic dhe Rangera për t’u shpallur kampion i Skocisë me Heart of Midlothian. Kertoja deri në vitin 2018 është aktivizuar me moshat e Vllaznisë, si i lindur dhe rritur në Shkodër.
Në janarin e vitit 2018 ai vendosi të largohej në Itali dhe për disa muaj u shkëput nga futbolli, për ta rifilluar pas disa muajsh në ligat amatore e deri në Serie D. Disa nga klubet e tij kanë qenë Narnese, Clitunno, Ancona, Montefano, FC Senigallia dhe për një sezon me Sambenedettese. Vera e vitit 2025 ishte e duhura për të, pasi skocezët e Heart of Midlothian paguan 150 mijë euro për ta afruar në ekip, duke i dhënë një kontratë deri në verën e vitit 2028. Në sezonin e tij të parë me skocezët, sulmuesi shqiptar ka zhvilluar 18 takime dhe është pranë titullit kampion me të tijtë, gjë që për Heart of Midlothian nuk ndodh prej sezonit 1959-60.

