Fabio Cannavaro nuk e fsheh ambicien për të drejtuar një ditë kombëtaren e Italisë. Ish-kapiteni legjendar i “Axurrëve” ka pranuar se rikthimi në futbollin italian dhe marrja e drejtimit të përfaqësueses janë objektivat e tij më të mëdhenj.
Megjithatë, drejtuesit vendosën të mos i ofronin një kontratë të re, një vendim që vazhdon ta lërë të habitur italianin. “Në 99 për qind të rasteve, trajnerët mbahen në detyrë. Me mua u mor një vendim tjetër dhe unë e pranova. Nuk ma shpjeguan arsyen”, rrëfeu ai.
Aktualisht, Cannavaro drejton kombëtaren e Uzbekistanit, të cilën e ka udhëhequr drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës, pjesëmarrja e parë e vendit në këtë kompeticion. Italiani ka përvojë edhe në drejtimin e Al-Nassr, Guangzhou Evergrande dhe kombëtares së Kinës.
Ai theksoi se eksperiencat ndërkombëtare e kanë ndihmuar të rritet si trajner dhe se nuk do të ndryshonte zgjedhjet e bëra gjatë karrierës. Megjithatë, Cannavaro pranoi se i mungon shumë puna e përditshme me futbollistët në nivel klubesh.
“Puna e përditshme e një trajneri është ndryshe. E sheh futbollistin çdo ditë, bisedon me të, përpiqesh ta ndihmosh të rritet dhe të përmirësohet”, u shpreh ai. Për momentin, e ardhmja e tij në Uzbekistan mbetet për t’u përcaktuar, por një gjë është e qartë: Cannavaro ka një objektiv të madh në horizont dhe ai është stoli i kombëtares së Italisë.

