Pas rinovimit të kontratës së Harry Kane deri në vitin 2029, Bayern Munich ka kthyer vëmendjen nga një tjetër yll i repartit ofensiv. Bavarezët synojnë të sigurojnë edhe të ardhmen e Michael Olise, një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës. Drejtori ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen, ka lënë të kuptohet se në të ardhmen mund të nisin bisedimet për rinovimin e parakohshëm të kontratës së francezit.
“Ne kemi thënë gjithmonë se nuk kemi vetëm Harry si një futbollist fantastik në skuadër, por edhe Olise, mes të tjerëve. Kontrata e tij përfundon në vitin 2029 dhe do ta diskutojmë këtë çështje në momentin e duhur”, deklaroi Dreesen. Kjo deklaratë vjen në një moment kur Olise po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga lojtarët kryesorë të projektit bavarez.
Paraqitjet e tij mbresëlënëse dhe zhvillimi i shpejtë kanë tërhequr vëmendjen e gjigantëve të futbollit europian. Gjatë verës, emri i francezit u lidh edhe me një interesim të mundshëm nga Real Madridi.
Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të rrezikojë humbjen e një prej talenteve më të rëndësishëm të skuadrës. Pas blindimit të Kane, drejtuesit bavarezë duket se kanë në plan të sigurojnë edhe Olise për vitet e ardhshme.

