Messi merr vendimin për të ardhmen

Lionel Messi ka marrë një vendim për të ardhmen e tij të afërt, duke i dhënë fund spekulimeve për një rikthim të mundshëm në futbollin argjentinas gjatë merkatos së janarit. Pavarësisht lidhjes së veçantë me klubin e fëmijërisë, Newell’s Old Boys, legjenda argjentinase nuk ka ndërmend të largohet nga Inter Miami për një huazim të përkohshëm.

Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, nuk ka negociata aktive për një marrëveshje të tillë dhe Messi është i vendosur të vazhdojë aventurën në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka asnjë mundësi që Messi të largohet në huazim”, ka deklaruar Romano. Ylli argjentinas dëshiron të respektojë plotësisht kontratën aktuale me Inter Miamin, e cila është e vlefshme deri në dhjetor të vitit 2028.

Madje, sipas raportimeve, tetë herë fituesi i Topit të Artë është i hapur edhe për mundësinë e rinovimit të kontratës me klubin amerikan. Ndërkohë, në horizont po shfaqet një tjetër mundësi që ka emocionuar tifozët e futbollit: ribashkimi i Messit me Neymarin.

E ardhmja e brazilianit te Santos mbetet e paqartë, ndërsa kontrata e tij po i afrohet fundit, duke shtuar spekulimet për një kalim të mundshëm në MLS. Inter Miami mund të shfrytëzojë këtë situatë për të tentuar transferimin e Neymarit dhe për të rikthyer një treshe që ka shkruar historinë te Barcelona.

Bëhet fjalë për MSN, treshen e famshme të përbërë nga Messi, Luis Suarez dhe Neymar, e cila dominoi futbollin europian mes viteve 2014 dhe 2017. Një ribashkim i tyre në futbollin amerikan do të ishte një nga operacionet më të bujshme në historinë e MLS-së.

Për momentin, Messi mbetet i përqendruar te Inter Miami, ndërsa ëndrra për të parë sërish treshen legjendare në të njëjtën skuadër vazhdon të ushqejë imagjinatën e tifozëve.