Lionel Mesi luajti ndeshjen e tij jubilare numër 150 në Champions dhe e festoi me gol. Kjo kopertinë e bukur, sidoqoftë, nuk mjafton për të mbuluar lakuriqësinë e një Barcelone që mezi mposhti Dinamon e Kievit në “Kamp Nou”, edhe pse ukrainasit ishin katandisur në 13 lojtarë të gatshëm për shkak të koronavirusit. Kaq alarmuese ishte forma e katalanasve saqë portieri Ter Shtegen u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes duke bërë 6 pritje shpëtimtare. Çfarë fati që u kthye pas 11 javësh mungesë për shkak dëmtimi. Një tjetër gol i Gerard Pikesë i dha pak garanci vendasve, por Dinamo goditi në minutën e 75-të me Cigankovin, ndërsa një gol tjetër iu anulua për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, në renditje, Barcelona është krejt ndryshe nga forma e La Ligës pasi kryeson me 9 pikë të plota (3 fitore).
Juventusi këtë herë nuk mbeti prapa, madje fitoi 4-1 në fushën e Ferencvaroshit në Budapest, kur Myrto Uzuni ia doli të kthehej në fushë pasi kaloi koronavisurin. Ai hyri në ndeshje në minutën e 80-të dhe u ndodh 10 minuta (plus shtesat) në një terren me Kristiano Ronaldon. Portugezi i famshëm këtë herë nuk e justifikoi veten, të paktën te golat. Ishte Alvaro Morata “floriri i Pirlos”, siç e quajti “La Gazeta delo Sporti”, ndërsa Dibala shënoi një gol e provokoi një tjetër.
Sfidanti.al