Një luftë e vërtetë deklaratash, por edhe ligjore po zhvillohet rreth Lacios, për çështjen e tamponëve të Kovid 19-ës, ndërsa vetë skuadra e trajnerit Inzagi po reziston madje më shumë sesa pritej. Italianët luajtën në Rusi në Champions, me mungesa të rëndësishme, por ia dolën të merrnin barazimin. Ishte një fund i një jave të nisur që të martën e kaluar me barazimin në fushën e Klub Bryzhit, në fundjavë në kampionat me fitoren 4-3 në fushën e Torinos, dhe ja tani me 1-1 ndaj Zenitit.
Lacio pati shumë mungesa, ndonëse jo 12 siç i ndodhi në Belgjikë. Portieri Strakosha, sulmuesi Imobile dhe mesfushori Lukas Leiva nuk ishin fare, ndërsa Inzagi mbajti fillimisht në stol Felipe Kaisedon, Andreas Pereirën dhe Kataldin. Titullar ishte sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi që luftoi fort për 60 minuta, i zëvendësuar nga Kaisedo. Ishte pikërisht ky i fundit që barazoi 8 minuta para fundit në stadiumin e Shën Peterburgut, në një ndeshje të vërtetë, sepse aty kishte tifozë sipas rregullave vendore në Rusi. Aleksandër Jerjohin kaloi Zenitin në epërsi në minutën e 32-të. Në renditje, Lacio është në vend të dytë, një pikë pas Dortmundit (6 me 5), ndërsa Zeniti është në fund me vetëm 1 pikë.
Përsa i përket tamponëve, drejtori sportiv lacial, Igli Tare, deklaroi se “ne kemi qenë në rregull me normat, nuk kemi mashtruar, por ka një ndryshim mes testeve të UEFA-s dhe atyre në Serinë A”. “Do të duhet të ketë unifikim sepse kështu nuk mund të vazhdohet”, – shtoi Tare, që shpreson të ketë Imobilen këtë fundjavë në kampionat për ndeshjen e rëndësishme ndaj Juventusit.
Sfidanti.al