Bota e futbollit merr frymë lirisht. Operacioni në tru të cilit iu nënshtrua Diego Armando Maradona për heqjene e hematomës ishte një sukses. Ai që e konfirmoi ishte zëdhënësi i El Pibe De Oro, Sebastian Sanchi i cili më pas shtoi: ‘Gjithcka shkoi mirë, Diego është mirë dhe po pushon në dhomën e tij’.
Operacioni u zhvillua në Klinikën Olivos të Buenos Aires dhe zgjati rreth 80 minuta, gjë që u pohua edhe nga Leonardo Luque, mjeku personal i Maradonës. ‘Arritëm të hiqnim gjakun e mpiksur. Diego e përballoi mirë opereacionin dhe do të mbetet nën monitorim-tha Luque
Sipas të përditshmes argjentinase ‘Olé’, Maradona që fillimisht u shtrua në spital për atë që dukej si një formë anemie, në ditët e para do të qëndrojë nën monitorim në terapi intensive. Ai do të duhet të qëndrojë në spital të paktën 1 javë dhe riaftësimi i tij do të duhet të marrë 1 muaj kohë.
Ndërkaq bota sportive po dërgon mesazhe inkurajuese në drejtim të 60 vjecarit dhe Lionel Messi nuk bën përjashtim. ‘Diego, të dërgoj të gjithë forcën e botës. Unë dhe familja ime duam të të shohim që të jesh mirë sa më shpejt të jetë e mundur. Një përqafim nga zemra-shkruante Messi në profilin e tij në Instagram me një foto ku ai është së bashku me Maradonën në kohët kur ishin në përfaqësuesen argjentinase.
Sfidanti.al