Talenti shqiptar refuzon Zvicrën

Lutfi Dalipi, një nga talentet më premtues të futbollit zviceran, ka marrë vendimin të mos përfaqësojë kombëtaren e Zvicrës. Mesfushori 20-vjeçar, i cili po spikat me Vaduzin, pritet të zgjedhë mes Shqipërisë dhe Kosovës, dy përfaqësuese që po bëjnë përpjekje për ta bindur.

Sipas “Blick”, Dalipi ka marrë një vendim paraprak për të ardhmen ndërkombëtare, duke përjashtuar Zvicrën. Emri i tij nuk ishte pjesë e listës së fundit të trajnerit Murat Yakin, i cili e vlerësoi talentin e mesfushorit, por theksoi konkurrencën e madhe në repartin e mesfushës.

Dalipi, me origjinë nga Billens i kantonit të Friburgut, ka të drejtë të luajë për Zvicrën, Portugalinë, Shqipërinë ose Kosovën. Sipas raportimit, ai ka refuzuar gjithashtu një ftesë nga kombëtarja U-21 e Zvicrës, pasi nuk dëshiron të zërë vendin e një lojtari tjetër, nëse vendimi i tij përfundimtar do të jetë larg përfaqësueses helvetike.

Një arsye e veçantë që lidhet me zgjedhjen e tij është edhe një premtim ndaj gjyshit. Dalipi thuhet se i ka premtuar atij se në të ardhmen do të luajë për Shqipërinë ose Kosovën. Vendimi përfundimtar pritet të bëhet i ditur në javët e ardhshme.

Ndërkohë, paraqitjet e tij me Vaduzin kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të rëndësishme europiane. Stuttgart, Hoffenheim, Eintracht Frankfurt dhe Salzburg janë ndër skuadrat që po e ndjekin nga afër, ndërsa interesimi për të mund të përkthehet në oferta prej disa milionë eurosh.

Për Zvicrën, Dalipi është një tjetër talent i formuar në vend që mund të zgjedhë një përfaqësuese tjetër, pas Leon Avdullahut, Albian Hajdarit dhe Alessandro Romanos.

Sa i përket të ardhmes në klub, një transferim në janar duket i vështirë. Young Boys, ku mesfushori ka kontratë deri në qershor 2030, e sheh atë si pasues të mundshëm të Alvyn Sanches. Megjithatë, para se të vendosë për hapin e radhës në karrierë, Dalipi pritet të zgjidhë përfundimisht çështjen e kombëtares.