Dihet mirë që Klubi i Futbollit Çelsi nuk është ndonjë vend ideal për trajnerët. Mund të pyesësh për këtë Zhoze Murinjon, Gus Hidingun, Luis Felipe Skolarin, Roberto Di Mateon, Avram Grantin, Karlo Ançelotin apo Antonio Konten. Faktori “Abramoviç” ndihet, me padurimin dhe vendimet e tij drastike, deri edhe me arrogancën tipike.
Këtë e kupton edhe trajneri i tanishëm, Mauricio Sarri, i cili i bëri një vërejtje në distancë pronarit të klubit. “Unë kam nevojë për kohë që ta ngre Çelsin në nivelin e Sitit, – u shpreh ai, në prag të ndeshjes së sotme, – duhet një sezon i tërë thjesht të kuptosh se çfarë ndodh kështu, si janë punët. Mançester Siti tregoi durim me Pep Guardiolën dhe bëri gjënë e duhur. Nëse drejtuesit do ta kishin shkarkuar atë sepse doli në vend të tretë dhe nuk fitoi asnjë trofe në sezonin e parë, atëherë Siti nuk do të kishte dalë kampion më pas”.
Sari nuk tha diçka tjetër, që Guardiola shpenzoi 200 milionë paund stërlina në verën e 2017 për ta fuqizuar skuadrën, ndërsa Sarri ka pasur mjete shumë më modeste financiare këtë vit. Besohet se italiani kërkon të marrë një sulmues, por pa e specifikuar se kë. Së fundi, ka kritika se Sarri nuk po nxjerr maksimumin nga Ngolo Kante, për shkak të skemës që përdor dhe të pranisë së Zhorzhinjos në mesfushë.
Sfidanti.al