Fenomeni te Real Madridi, 40% e fitoreve vendosen në minutat e fundit

Real Madridi po konfirmon edhe një herë se nuk dorëzohet deri në vërshëllimën e fundit. Skuadra e drejtuar nga José Mourinho ka krijuar një statistikë të veçantë këtë sezon: gjashtë nga 15 fitoret e saj zyrtare janë vendosur pas minutës së 85-të, pra 40% e rasteve.

Sipas “Sport”, një rol të rëndësishëm në këto përfundime dramatike kanë lojtarët e aktivizuar nga stoli. Në katër ndeshje golin vendimtar e kanë shënuar rezervistët, ndërsa në dy të tjera asistimi ka ardhur prej tyre. Protagonisti kryesor është Carlos Espí, i cili ka realizuar tri gola vendimtarë ndaj Espanyolit, Elches dhe Celta Vigos. Sulmuesi ka shënuar katër herë në vetëm 63 minuta aktivizim me fanellën e madrilenëve.

Edhe Arda Güler, Endrick, Camavinga dhe Fede Valverde kanë qenë vendimtarë në fitoret e vështira, duke dëshmuar se Mourinho ka alternativa të rëndësishme në stol. Real Madridi ka fituar 15 nga 17 ndeshjet zyrtare këtë sezon, me 11 suksese në La Liga dhe katër në Champions League.

Një tjetër statistikë interesante është se tetë prej këtyre fitoreve janë arritur me vetëm një gol diferencë. Gjithashtu, lojtarët rezervë të futir në fushë nga stoli kanë realizuar nëntë nga 46 golat e skuadrës në të gjitha kompeticionet.

Në Champions League, lojtarët e aktivizuar gjatë ndeshjes kanë kontribuar me katër gola dhe pesë asistime në katër takime. Shifrat tregojnë se një nga armët më të forta të Real Madridit këtë sezon është pikërisht stoli, ndërsa kundërshtarët duhet të qëndrojnë në alarm deri në sekondën e fundit.