Nelson Hysa nuk kënaqet vetëm me mundësinë për të fituar titullin kampion bote. Boksieri shqiptar ka nisur të mendojë edhe për një përballje të madhe me ish-kampionin e botës, Tyson Fury, nëse arrin të kalojë fillimisht pengesën e Agit Kabayelit.
Në moshën 42-vjeçare, Hysa është përpara një prej sfidave më të rëndësishme të karrierës. Ai vjen pas një serie mbresëlënëse prej 25 fitoresh në po aq ndeshje, 23 prej tyre me nokaut. Përballjen me Kabayelin e kërkoi vetë, pasi e sfidoi gjermanin pas fitores ndaj Thomas Nermon në gusht. Tashmë dueli është konfirmuar për këtë fundjavë në “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit.
Në një intervistë për “DAZN”, Hysa u shpreh i bindur se mund të triumfojë dhe falënderoi organizatorët për mundësinë që i është dhënë. Por ambiciet e shqiptarit shkojnë edhe më larg. Ai ka zbuluar se një nga kundërshtarët me të cilët do të dëshironte të ndante ringun është Tyson Fury.
“Tyson Fury është një nga boksierët me të cilët do të dëshiroja të përballesha. Nëse ai fiton titullin WBA dhe unë fitoj WBC-në, atëherë mund të zhvillojmë një duel për unifikimin e titujve. Kjo do të ishte fantastike”, deklaroi Hysa. Fillimisht, megjithatë, shqiptari duhet të përqendrohet te Kabayel, përpara se të ëndërrojë një përballje të madhe me njërin prej emrave më të njohur të boksit botëror.

