Futboll Klub Kukësi ka reaguar zyrtarisht pas incidenteve të dhunshme të regjistruara në stadiumin e Orikumit, gjatë ndeshjes kundër skuadrës vendase, e vlefshme për Kategorinë e Parë. Përmes një komunikate, klubi verilindor ka dënuar ashpër ngjarjen, duke pretenduar se futbollistë dhe pjesëtarë të stafit të tij janë dhunuar fizikisht nga lojtarë të KF Orikut.
Sipas versionit të paraqitur nga Kukësi, incidenti ndodhi gjatë pushimit të pjesës së parë, në momentin kur skuadrat po largoheshin drejt dhomave të zhveshjes. Klubi bën me dije se disa prej futbollistëve të tij kanë pësuar dëmtime fizike dhe se, për shkak të situatës së krijuar, ekipi e kishte të pamundur të rikthehej në fushë për të vijuar normalisht takimin.
Kukësi pretendon gjithashtu se, pavarësisht kërkesës për ndërhyrje dhe shqyrtim të pamjeve filmike, zyrtarët e ndeshjes kanë këmbëngulur për rifillimin e saj, duke paralajmëruar masa disiplinore në rast refuzimi.
Pas ngjarjes, futbollistët e dëmtuar dhe përfaqësuesit e klubit kanë depozituar kallëzim pranë Stacionit të Policisë Orikum. Ndërkohë, Kukësi i kërkon FSHF-së një hetim të plotë dhe të paanshëm, si dhe identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.
Në vijim, komunikata e plotë e FK Kukësit:
“KOMUNIKATË ZYRTARE
Futboll Klub Kukësi dënon me vendosmëri aktet e dhunës së ndodhura gjatë pushimit të pjesës së parë të ndeshjes KF Oriku – FK Kukësi.
Në momentin kur skuadrat po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, një prej lojtarëve të KF Orikut ka fyer dhe goditur pjesëtarë të stafit teknik të skuadrës sonë. Situata më pas ka agravuar, pasi edhe lojtarë të tjerë të ekipit vendas janë përfshirë në këtë incident, duke ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistëve tanë dhe duke u shkaktuar dëmtime fizike, shenjat e të cilave janë qartësisht të dukshme.
Përballë kësaj situate, klubi ynë iu drejtua zyrtarëve të FSHF-së të pranishëm në ndeshje, konkretisht delegatit Sabri Kalleshi dhe vëzhguesit Arjan Mali, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre, shqyrtimin e pamjeve filmike dhe marrjen e masave për identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për këto akte dhune.
Në kushtet e krijuara, pas dhunës së ushtruar dhe dëmtimeve fizike e psikologjike të pësuara nga pjesëtarët e skuadrës sonë, ishte e pamundur që futbollistët të riktheheshin në fushë dhe të vijonin normalisht ndeshjen. Në një situatë të tillë, nuk mund të flitej për kushte normale të zhvillimit të aktivitetit sportiv dhe, aq më pak, për respektimin e parimit të Fair Play.
Pavarësisht kërkesës sonë për të mos vijuar ndeshjen pa u sqaruar më parë ngjarja dhe pa u marrë masat e nevojshme, zyrtarët e ndeshjes këmbëngulën në rikthimin e skuadrës sonë në fushë, duke na bërë të ditur se në rast të kundërt do të merreshin masa disiplinore ndaj FK Kukësit, përfshirë humbjen e ndeshjes në tavolinë.
Duke e konsideruar këtë ngjarje tepër të rëndë dhe të papranueshme, futbollistët e dëmtuar, së bashku me përfaqësuesit e klubit, kanë depozituar kallëzim pranë Stacionit të Policisë Orikum. Gjithashtu, është kërkuar zyrtarisht ndjekja e të gjitha procedurave ligjore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
FK Kukësi kërkon nga organet kompetente të FSHF-së një shqyrtim të plotë dhe të paanshëm të incidentit, administrimin e pamjeve filmike dhe marrjen e masave përkatëse disiplinore ndaj të gjithë personave përgjegjës.
Dhuna nuk ka vend në futboll. Siguria dhe integriteti fizik i futbollistëve dhe stafit duhet të jenë mbi çdo rezultat sportiv.
FK KUKËSI”

