A mund të gënjejë një gjerman? E paska bërë Kislingu!

Tek Bajer i Leverkusenit cilësohet një legjendë. Shtefan Kisling luajti për 12 sezone me skuadrën e qytetit të vogël, duke shënuar jo pak, por 131 gola, e duke luajtur gati 350 ndeshje. Sot, ai është ndihmës i drejtorit sportiv, Rudi Fëler, ndërsa zbulon një sekret jo edhe aq të këndshëm të viteve të karrierës në fushë.

“Unë disa herë nuk i kalova testet fizike me aftësitë e mia, – u shpreh ai  për gazetën “Bild”, – ndodhi më shumë se një herë që gruaja ime i kaloi ato për mua. P.sh. ajo vendosi monitorin e rrahjeve të zemrës, që regjistron gjithçka, në vend që ta vija unë. Për fat, ajo është shumë e përgatitur fizikisht dhe atletikisht, dhe gjithçka kaloi me sukses, e askush nuk vuri re gjë”.

Pra, Kislingu duhet t’ia dijë për nder gruas së tij, Norinës, për një pjesë të suksesit sportiv. “E vërtetë, – përgjigjet ai, – por, kjo ishte thjesht një ndihmë, sepse forma ime fizike ishte gjithnjë shumë e mirë”. Gjithsesi, Kislingut mund t’i bëjmë një pyetje: Ja që ndodh, që edhe një gjerman të gënjejë!

Sfidanti.al