Është dita për Çelsi-Mançester Siti, e një tjetër dueli të madh në Premier Ligë. Kampionët në fuqi shkojnë në fushën e asaj skuadre që u mendua si një rivale, dhe rreziku nuk është aspak i vogël. Pep Guardiola mori trenin bashkë me futbollistët e tij, dhe ndërsa udhëtonte drejt Londrës, kujtonte bilancin e tij në “Stemford Brixh”.
“Nuk ka qenë kurrë e lehtë për mua të luaja në këtë stadium, – u shpreh ai, – kam qenë disa herë dhe kam fituar vetëm një ndeshje. Normalisht, humbisja”. Këtë radhë, në kryeqytet Siti shkon pa dy nga lojtarët kryesorë, rekordmenin e golave, Sergio Aguero, dhe mesfushorin kryesor, Kevin De Brujn, që janë të dëmtuar. “Asnjëri prej tyre nuk mund të luajë”, – u shpreh trajneri.
Siti kryeson Premier Ligën, ndërsa Çelsi ka mbetur 10 pikë prapa, veçse Guardiola nuk dëshiron të papritura. “Gjëja më e rrezikshme është kur mendon se nuk ke ç’të përmirësosh, – u shpreh ai, – ne duhet të përmirësojmë shumë gjëra, ndonëse skuadra ka qenë shumë e qendrueshme, edhe pse ka luajtur çdo tri ditë. Ne jemi të pathyer deri tani, por për mua kjo ka shumë pak rëndësi”.
Sfidanti.al