Shuhet Xhixhi Radiçe, kampioni i vetëm me Torinon në 70 vjet!

Fundi ishte i vështirë si i shumë njerëzve në moshë disi të shtyrë. Xhixhi Radiçe, një hero i futbollit italian, luftoi me sëmundjen e Alzheimerit derisa u shua me 83 vite mbi supe, duke lënë për kujtim historinë e tij të madhe të topit. Ish-lojtar i Milanit, tri herë kampion i Italisë, pjesë e asaj skuadre që në 1963 fitoi Kupën e parë të Kampionëve për vendin e Apenineve.

Në stolin e Torinos arriti diçka edhe më të madhe, në 1976 u shpall kampion me skuadrën “granata”, në titullin e parë dhe të fundit që pas tragjedisë së tmerrshme të skuadrës së madhe në Superga, në 1949. Në gati 70 vjet, Radiçe mbetet i vetmi që mbërriti majën me një klub të madh, por “të rënë nga vakti” si Torino.

E famshme shprehja e tij pas ndeshjes së fundit, ndaj Çezenës në stadiumin “Komunale”, ndërsa Juvja u mund në fushën e Peruxhës. “Jemi kampionë, por ama sot vetëm barazuam”, – ishin fjalët e Xhixhit. Formacioni “granata” pati dy sulmuesit e shquar, Paolo Puliçin, Këpucën e Artë të sezonit me 21 gola, dhe Françesko Gracianin me 15 rrjeta.

Radiçe drejtoi 12 skuadra në një periudhë prej gati 30 vitesh në stol, mes tyre edhe Interin, Milanin, Romën, Fiorentinën, Bolonjën, Xhenoan apo Kaljarin.

Sfidanti.al