Ende nuk është titullar, por hodhi një tjetër hap të madh. Armando Broja firmosi kontratën e re me Çelsin, që do ta mbajë në “Stemford Brixh” deri në 2028, të paktën sipas asaj që parashikohet. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i diskutuar shpesh për t’u larguar, pas premtimit të trajnerit Tuhel, mori edhe shpërblimin për sakrificat e tij, marrëveshjen që padyshim do t’i rrisë edhe rrogën, por që së pari i rrit statusin si lojtar i rëndësishëm i Çelsit.
“I kam humbur fjalët, kjo është një ëndërr që realitohet, – tha Broja për kamerën e klubit, – një kënaqësi për mua dhe për klubin. Kam qenë këtu që kur isha 9 vjeç. Mbaj mend kur isha fëmijë, dhe pikërisht në këtë vend isha me Didie Drogbanë, që ishte idhulli im. Tek fusha e akademisë unë kam luajtur kaq shumë në atë kohë. Mbaj mend ndeshjen e parë me akademinë, që e humbëm 2-1, por ishte diçka e madhe për mua që mësova shijen e humbjes, dhe nuk desha që ta provoja më. Kjo është rruga që të dërgon nga akademia tek ekipi i parë, një rrugë e thjeshtë, por një rrugë e rëndësishme për mua që e nisa si fëmijqë dhe e përfundova si burrë”.
Nuk dihet sesa do të jetë rroga e sulmuesit që pas pak ditësh mbush 21 vjeç, por padyshim që do të jetë disafishi i asaj që ka marrë deri tani dhe që ishte 8 500 paundë stërlina në javë, që do të thotë mbi 500 000 euro në vit. Megjithatë, për Brojën, kryesore është që të konfirmohet si lojtar i bluve.
“Që nga viti 2018 e deri më sot, gjëja kryesore që kam mësuar në futboll është që të kem një mentalitet shumë të fortë, – vazhdoi ai, – lojtarët e rritur më kanë ndihmuar si djalë i ri që ta kisha më të lehtë, duke më hequr presionin, dhe për të luajtur më mirë. Ata më kanë mësuar që të jap maksimumin për ekipin dhe për tifozët. Unë duhet t’ia shpërblej Çelsit, që ka bërë shumë për mua. Edhe unë do të bëj shumë për klubin dhe për tifozët. Duhet të vazhdoj rrugën time, të lë kujtime sa më të bukura me fanelën blu. Shpresoj që të vazhdojë, por deri tani ka qenë shumë bukur”.
Shpresohet që edhe me ndihmën e Brojës, Çelsi të rikthehet tek pretendimet në Premier Ligë, ndërsa Blutë e Londrës kanë shpenzuar rreth 315 milionë euro këtë verë për përforcime, falë investimeve të pronarit Tod Boehli, duke marrë lojtarë të rëndësishëm si Stërling, Kulibali, Kukureja, Fofana, Zakaria apo Obamejang.
Sfidanti.al