Nëse kishte diçka që pritej më pak në këtë botë, kjo ishte kthimi i Zinedin Zidanit si trajner i Realit, më pak se 10 muaj pasi dha dorëheqjen! Jeta, gjithsesi, ka të papritura dhe është e kotë ta mendojmë si “parafabrikat”, pra ju ku kemi prezantimin e dytë të “Zizusë” në stolin e të bardhëve të Madridit.
Herën e parë, presidenti Florentino Perez zgjodhi disa fjalë të menduara mirë për ta paraqitur, duke i thënë se “zgjodha Zinedin Zidanin, për të cilin fjala e pamundur nuk ekziston”. Perezi nuk i përsëriti këto fjalë, por lumturia e tij ishte shumë e madhe tani që Zizu u rikthye, sesa kur u emërua së pari.
Përse Reali u kthye tek dashuria e vjetër, dhe përse kaq shpejt? E qartë, që në maj, pati një largim pa u marrë vesh mes palëve, dhe ikja e Zidanit ishte e papritur për vetë presidentin. Ai u përpoq ta bindte, por nuk ia doli, dhe trajneri ishte i qartë në konferencën për shtyp, kur tha se “dikush mund të ketë mendim tjetër, por mua nuk më dukej e sigurt se do të vazhdonim të fitonim”.
Perezi ishte nga ata që mendonte ndryshe, dhe gjykoi se trajneri i Spanjës, Lopetegi, do të ishte pasardhësi i duhur. E keqja filloi që në mënyrën e lajmërimit, që krijoi krizë në kombëtare dhe në Federatën e Spanjës, po ashtu me largimin e Kristiano Ronaldos. Perezi vuri bast se Reali i tij mund të priste një vit për Nejmarin apo Mbapenë, por doli i humbur, iket e Zidanit e të Ronaldos ishin tepër të mëdha për t’u përballuar pa zëvendësime të denja.
Kjo bëri që presidenti madrilen të pranonte dështimin, siç bëjnë të gjithë njerëzit e rëndësishëm, dhe t’i lutej Zidanit për rikthimin. U deshën vetëm dy telefonata, që francezi të bindej, ndërsa ai vetë e kishte lënë portën hapur, kur majin e kaluar tha “kjo, ndoshta nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim për një herë tjetër”. Nuk u desh të pritej shumë dhe rikthimi i Zidanit në këtë moment tregoi se çfarë dashurie të madhe ka ai për Realin e Madridit.
Sfidanti.al