Sulmi “total” i Bajernit ndaj trajnerit të kombëtares nuk ndalet

Nuk mjaftuan fjalët e thëna në fillim nga Rumenige apo Hënes. Përjashtimi nga kombëtarja gjermane e tre lojtarëve të tij nuk po kalon aspak mirë tek Bajerni, që po reagon në një mënyrë, besohet, të paprecedentë ndaj trajnerit Joakim Lëv. Më të rënda ishin fjalët e futbollistit të rëndësishëm, Xhoshua Kimih, pjesë organike e “national manshaftit”, me kritika që mund të sjellin probleme të tjera.

“Heqja e tre lojtarëve të Bajernit nga kombëtarja nuk ishte gjë e mirë, – u shpreh ai, – ata janë ende në formë, ende të rinj 29-30 vjeç, dhe unë nuk e mbaj mend kombëtaren gjermane pa ata”. Këto fjalë janë një shpallje “lufte civile” brenda kombëtares, një “kryengritje në pallat” dhe e vendosin në një pozitë të vështirë trajnerin, i cili ose duhet të reagojë, ose duhet të humbasë respektin.

Gjithsesi, Bajerni nuk do të ndalet me Kimihun. Pritet që presidenti Uli Hënes të takohet me Joakim Lëvin, në një përpjekje të fundit për t’i ndërruar mendjen. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që drejtues të lartë të një klubi të bëjnë presion ndaj stafit të kombëtares, që ky të kthejë vendimet e veta. Të paktën, në Gjermani, Francë apo Angli, jo!

Lëvi besohet se nuk do të dorëzohet, por sjellja e Bajernit po tregon se klubi bavarez është bërë si “kungulli, që u rrit dhe pushtoi gardhin”. A do të ketë forcë futbolli gjerman t’i tregojë vendin superfuqisë që e nderon në kupat e Europës, por që përpiqet të dominojë Gjermaninë?

Sfidanti.al