Prag Superkupa, do të mundë Barcelona të mposhtë favoritin Real në Arabi?!

Lindja e Mesme po kthehet në shtëpinë e re të futbollit, dhe sfida e sotme është një tjetër provë. Reali e Barcelona do të luajnë në Arabinë Saudite finalen e Superkupës së Spanjës, trofeu i parë i futbollit iberik për këtë sezon. Pasi kaluan në gjysmëfinale, përkatësisht Valencian dhe Betisin, madje vetëm pas gjuajtjes së penalltive, dy gjigandët do të kenë “El Klasikon” në orën 20:00 në “Stadiumin e Perlave”, në kryeqytetin Riad. Madrilenët cilësohen favoritë, dhe s’ka si të jetë ndryshe duke qenë kampionë të Spanjës e të Europës në fuqi. Gjithsesi, ata kanë probleme dëmtimesh pasi të paktën 4 lojtarë nuk janë të gatshëm, e dy të tjerë në dyshim.

Në Riad, Realin e vizitoi ish-ylli i tij, Kristiano Ronaldo, që tashmë ka firmosur kontratë në Arabinë Saudite. Ai takoi shumë nga shokët e tij të mëparshëm, ndërsa gazetarët ngacmuan sulmuesin Karim Benzema se përse nuk bëri një foto me të. “Nuk kam nevojë për foto që të tregoj se e kam mik Ronaldon”, – ishte përgjigja e francezit, ndërsa trajneri Karlo Ançeloti shpreson fitoren. “Të gjithë titujt janë të rëndësishëm, për ne dhe për klubin, – tha ai, – Titujt të japin besim, të ndihmojnë që të jesh në humor të mirë. Ka shumë gjëra që i luajmë në këtë ndeshje. Do të provojmë që ta fitojmë”.

Barcelona, gjithashtu e pati të vështirë të kualifikohej në finale, pasi ndaj Betisit përfundoi 2-2 dhe u deshën penalltitë pas 120’. Katalanasit janë në krye të La Ligës, por ende nuk po bindin plotësisht dhe nuk kanë fituar asnjë trofe me trajnerin Ksavi Hernandez, që vlerëson rivalin. “Po flasim si përherë për Madridin, një rival tepër të fortë në të gjitha aspektet, – ishte shprehja e tij, – Me lojtarë të shkëlqyer, me lojë të rrufeshme. Është kampion në fuqi i La Ligës dhe i Europës. Na duhet një lojë e madhe për të fituar Superkupën”. Për fat, Barcelona nuk ka probleme me dëmtimet apo pezullimet.

Sfidanti.al