Në një farë mënyre, futbolli afrikan po i ngjan paksa Shqipërisë së vitit 1997, me konfliktet e saj që sollën paralizën e shtetit dhe dëmtimin e shoqërisë. Zgjedhja e presidentit të ri të Federatës së kontinentit, Ahmad Ahmad nga Madagaskari u mendua si fillimi i një epoke të re, pas 29 vitesh sundim të Isa Hajatusë së Kamerunit, veçse pa kaluar mirë dy vjet, ai pësoi dështim pas dështimi, aq sa u detyrua t’ia dorëzonte fuqinë FIFA-s. Një lloj protektorati, ashtu si ai që iu imponua Shqipërisë në 1997, me përbërje italiane, franceze, greke apo turke.
Pikërisht, në këtë moment, shpërtheu një konflikt mes dy “superfuqive” të futbollit botëror, FIFA-s dhe UEFA-s, ku me “pushkët” përballë qendrojnë dy presidentët, Xhani Infantino dhe Aleksandër Çeferin. Përse kjo betejë e një zvicerani dhe një slloveni, pra e dy europianëve, për Afrikën? Çeferin akuzoi rivalin më të madh për veprime individuale, që synojnë ta kthejnë bordin drejtues (Byronë e Këshillit të FIFA-s) në një kukull në duart e tij. Kjo, pasi Infantino caktoi zv. presidenten, Fatma Samurën nga Senegali, si delegate të përgjithshme të FIFA-s për Afrikën, në mënyrë që të bëhet auditi financiar i federatës afrikane.
Me shumë gjasë, kjo është një luftë pushtetesh, ku Infantino ka aleatët e tij afrikanë, dhe Çeferin po përpiqet të ketë të vetët, në mënyrë që në një të ardhme të ketë mundësi të pretendojë presidencën e FIFA-s. Sa për futbollin afrikan ai po kalon nëpër skandale, me Ahmadin që u akuzua për vendime individuale, me finalen e anuluar të Championsit që duhet përsëritur, si dhe me arrestimin e presidentit në Francë apo aferën e dyshuar korruptive të blerjes së uniformave sportive. Më shumë se kaq, problem është bërë organizimi i Kupës së Kombeve, pasi Kameruni u tërhoq sepse nuk kishte mundësi për t’ia dalë me infrastrukturën dhe organizimin.
Sfidanti.al