Joel Doukouo është përforcimi më i ri i Teutës për pjesën e mbetur të sezonit. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë është prezantuar zyrtarisht nga klubi durrsak, pak javë pas largimit nga Elbasani. 22-vjeçari nuk është i panjohur për kampionatin shqiptar, pasi ka luajtur më parë me Egnatian, ku fitoi edhe titullin kampion, si dhe me Elbasanin sezonin e kaluar.
Në njoftimin e klubit thuhet se Doukouo pritet të forcojë repartin ofensiv dhe të sjellë më shumë energji në fazën e sulmit. Teuta e sheh afrimin e tij si një vlerë të shtuar në një moment pozitiv për skuadrën. Ekipi durrsak deri më tani nuk ka pësuar asnjë humbje dhe kërkon të ruajë këtë ecuri. Kalimi i Doukouos shihet si pjesë e planit për të zgjeruar alternativat në sulm dhe për të rritur konkurrencën brenda grupit.
sfidanti.al