Nico Williams: Unë e refuzova Barcelonën, vendimin e mora me familjen!

Nico Williams ka dalë kundër deklaratave të agjentit të tij, Felix Tainta, lidhur me dështimin e transferimit te Barcelona, duke theksuar se vendimi për të qëndruar te Athletic Bilbao ishte tërësisht i tij dhe i familjes.

Sulmuesi spanjoll ka qenë prej kohësh në radarët e Barcelonës, por në fund zgjodhi të vazhdojë karrierën në San Mames. Agjenti i tij kishte deklaruar se problemet financiare të klubit katalanas dhe pasiguritë për regjistrimin e lojtarit kishin ndikuar në negociata. Megjithatë, Williams ka mohuar këtë version të ngjarjeve, duke kritikuar publikisht përfaqësuesin e tij.

“Felixi ka gabuar me fjalët që ka thënë. Gjërat nuk janë ashtu”, u shpreh 23-vjeçari, duke sqaruar se vendimin përfundimtar e marrin ai, vëllai dhe familja e tij. Ylli i Athletic Bilbaos zbuloi gjithashtu se kishte refuzuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Barcelonën, Arsenalin dhe Paris Saint-Germainin, pasi dëshironte të qëndronte në klubin bask.