Dy vjet më parë, largimi i tij nga Barcelona ishte i stuhishëm, por jo deri në thyerje të plotë. Nejmar, të paktën, u përpoq të gjendte mirëkuptimin e shokëve të skuadrës, nëse jo atë të klubit dhe të tifozëve, ndaj edhe ikja drejt Paris SG-së, nuk shkaktoi një traumë të vërtetë.
Këtë herë është ndryshe, dhe gjithçka në Paris është bërë dramatike. Sipas mediave të ndryshme, superylli brazilian paska deklaruar se nuk ka ndërmend të luajë më asnjë ndeshje për PSG-në, sepse dëshiron vetëm të largohet, dhe besohet tek Barcelona. E qartë, kjo është mënyra më e keqe për të kërkuar largimin, diçka që e afron sulmuesin 27-vjeçar me tekat e tmerrshme të Usman Dembelesë, kur i ra në kokë që të ikte nga Dortmundi pikërisht për tek Barcelona.
Ende nuk dihet se cili do të jetë reagimi i presidentit Naser Al Helaifi, përballë këtij shantazhi të vërtetë nga futbollisti, ndërsa gjithçka rrezikon të kthehet në një “burg” për Nejmarin, dhe në një bumerang për të dyja palët. Po nga mediat mësohet se braziliani ka pasur përplasje në klub me Al Helaifin dhe madje edhe me mjekët, ndërsa historitë me Kavanin nuk janë aspak të reja.
Nejmari mësohet se nuk është i lumtur me përçarjen në dhomën e zhveshjes së skuadrës (ku, padyshim, ka kontributin e tij), me nivelin jo aq të lartë të kampionatit francez, shpesh të publikut të paktë në numër dhe të faullave të shumtë që ai mendon se i shkaktohen, ndërsa nuk mbrohet sa duhet nga gjyqtarët. PSG kërkon 300 milionë për kartonin e numrit 10, ndërsa Barça jep 100 milionë, plus Kutinjon.
Sfidanti.al