Epoka e tij tek Barcelona ishte mjaft më e hershme, dhe ndoshta sukseset jo aq të jashtëzakonshëm. Gjithsesi, një yll futbolli si Rivaldo mund t’i lejojë vetes të këshillojë Nejmarin se çfarë duhet të bëjë me karrierën e tij. Braziliani, shënues i 130 golave në në 235 ndeshje për Barcelonën, e këshillon “Ney”-n që të kthehet në “Kamp Nou”, por edhe i “tërheq veshin”.
“Nëse Nejmar kthehet në Barcelonë, shpresoj që të ndryshojë kokën dhe të nisë të luajë futboll, – tha ish-sulmuesi, – do të ishte mirë që të kthehej, edhe për Barçën, edhe për atë vetë, dhe është në moshën e duhur, kur mund të japë më shumë sesa dha në 2015 kur u fitua “tripleta”. E di se 70 për qind e tifozëve nuk e duan, por nëse fiton Championsin, do të ndryshojnë mendim”.
Nejmar fitoi tripletën me Barçën në 2015, pra La Ligën, Championsin dhe Kupën e Mbretit, por edhe Rivaldo nuk bie më poshtë. Ai fitoi 2 tituj në Spanjë, një Superkupë të Europës, një Kupë të Mbretit, po ashtu Championsin me Milanin në 2003, plus Kupën e Italisë e Superkupën e Europës, titullin në Brazil me Palmeirasin, 3 tituj në Greqi me Olimpiakosin, si dhe Kupën e Botës me Brazilin në 2002 e Kupën e Amerikës në 1999. Nuk janë pak, apo jo?!
Sfidanti.al