La Liga u është drejtuar me një letër të hapur lojtarëve dhe kapitenëve të të gjitha skuadrave, për t’u kujtuar se në dhjetë vitet e fundit ka kontribuar me 102 milionë euro në Shoqatën e Futbollistëve Spanjollë (AFE). Kjo erdhi pas akuzave për mungesë transparence lidhur me projektin për zhvillimin e ndeshjes Villarreal–Barcelona në Miami.
Sipas njoftimit, La Liga ka dërguar tri letra zyrtare AFE-së, duke kërkuar takim për të shpjeguar hollësisht projektin dhe për të ofruar të gjitha informacionet e nevojshme, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga sindikata e lojtarëve. Në letrën e fundit, drejtuesit e La Ligës kanë shpjeguar në 14 pika kryesore zhvillimin e projektit, i cili është prezantuar dhe miratuar që në korrik të vitit 2018, dhe më pas ratifikuar në vitin 2020. Sipas tyre, synimi është të promovohet futbolli spanjoll në tregun amerikan, ku ekzistojnë rreth 60 milionë tifozë, duke forcuar markën e kampionatit dhe duke gjeneruar të ardhura që ndikojnë drejtpërdrejt te klubet dhe te vetë lojtarët, të cilët përfitojnë rreth 70 për qind të të ardhurave totale.
La Liga thekson se ky nuk është një operacion ekonomik i menjëhershëm, por një investim afatmesëm e afatgjatë, që synon të hapë futbollin spanjoll ndaj audiencave të reja pa ndryshuar rregullat apo frymën e garës.
Në dokument përmendet gjithashtu se klubet janë paraqitur vullnetarisht, se bëhet fjalë për vetëm një ndeshje nga 380 të kalendarit dhe se kjo nuk ndikon në drejtësinë e kampionatit. Për të ilustruar këtë, përmendet fakti që Villarreali ka arritur vetëm 5 fitore dhe 5 barazime në 25 përballjet e fundit në shtëpi ndaj Barcelonës.
Kompania Relevant Sports, bashkorganizatore e projektit, do të mbulojë të gjitha shpenzimet e udhëtimit, organizimit dhe prodhimit. Sipas La Liga-s, ky hap do të rrisë ekspozimin ndërkombëtar dhe mundësitë e sponsorizimit personal për lojtarët.
Në përfundim, presidenti Javier Tebas thekson në letër se është i gatshëm 24 orë në ditë për të sqaruar çdo paqartësi, qoftë personalisht, me telefon apo videokonferencë, duke rikujtuar se AFE ka përfituar 102.245.134 euro nga La Liga gjatë dekadës së fundit, një dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm ndaj lojtarëve dhe të ardhmes së futbollit profesionist spanjoll.
sfidanti.al