Wesley, bashkëshortja e akuzon se e ka tradhtuar

Martesa mes futbollistit brazilian të Romës, Wesley-t, dhe bashkëshortes së tij, Amanda Martins, po shkon drejt fundit mes akuzave të rënda. Çifti, që ka edhe një vajzë, jetonte prej kohësh i ndarë, por Amanda ka vendosur të flasë publikisht për arsyet e prishjes së marrëdhënies, përmes disa postimeve në Instagram. Ajo deklaroi se ishte lodhur nga thashethemet që qarkullonin në rrjetet sociale dhe në mediat rozë, ndaj ndjeu nevojën të tregonte versionin e saj të ngjarjeve. Sipas Martins, tradhtitë nuk kanë qenë raste të izoluara, por episode të përsëritura gjatë kohës kur marrëdhënia e tyre ishte ende aktive. Ajo pretendon se futbollisti e ka tradhtuar me shumë gra, përfshirë edhe prostituta.

Amanda tha se kishte zbuluar fotografi dhe video në telefonin e bashkëshortit, të cilat, sipas saj, dokumentonin takimet e tij me gra të tjera. Ajo pretendon se i kishte parë vetë materialet dhe se i kishte ruajtur në telefonin e saj. Sipas saj, veçanërisht fyese ishte fakti që Wesley mbante unazën e martesës edhe gjatë këtyre takimeve. Martins tregoi gjithashtu se, kur ishte përballur me të në të kaluarën, futbollisti kishte mohuar akuzat, madje duke u betuar në Zot dhe në vajzën e tyre. Ajo tha se i kishte dhënë disa mundësi për të pranuar të vërtetën, por kjo nuk kishte ndodhur kurrë.

Akuzat e saj përfshijnë edhe periudhën e shtatzënisë, gjatë së cilës pretendon se ishte tradhtuar dhe ishte ndier e vetme. Amanda deklaroi se e kishte falur disa herë dhe ishte përpjekur të shpëtonte familjen dhe martesën, por pa sukses.