Jermaine Pennant sulmohet nga një qen në Londër

Një incident i frikshëm ka tronditur ish-futbollistin anglez, Jermaine Pennant, i cili u sulmua nga një qen i racës pastor gjerman gjatë një shëtitjeje në Londër. Ish-sulmuesi, 43 vjeç, pësoi një plagë të thellë në këmbë, që kërkoi plot 50 qepje. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Pennant, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube të njohura si Arsenali dhe Liverpooli, tregoi për gazetën britanike “The Sun” se ngjarja ndodhi teksa po shëtiste me qenin e tij, King. Sipas rrëfimit të ish-futbollistit, qeni tjetër fillimisht tentoi të sulmonte King, ndërsa ai ndërhyri për ta mbrojtur. Megjithatë, situata u përshkallëzua shpejt dhe kafsha u kthye kundër tij. “Ishte vërtet e frikshme. Qeni tjetër u përpoq të sulmonte Kingun dhe unë tentova ta mbroja. Papritur, filloi të më sulmonte edhe mua. Rashë përtokë dhe ai vazhdoi të më kafshonte këmbën për të paktën pesë sekonda. Ndjeva një presion të jashtëzakonshëm”, rrëfeu Pennant.