Natyrisht është thuajse e pamundur, por për zemrën e tifozët nuk ka asgjë të tillë, kur vjen puna për të fantazuar për të mirën e skuadrës së tij. Përkrahës të Realit të Madridit thirrën me të madhe “Florentino, merre përsëri”, kur presidenti Perez përqafoi Kristiano Ronaldon, të ndodhur të dy në ndarjen e çmimeve të gazetës “Marka”. Ronaldo u vlerësua me çmimin individual “Legjenda”, një trofe veshur në ar, pasi “Marka” vendosi se ai e meritonte për karrierën e jashtëzakonshme në futboll.
Rekordmeni i golave të Championsit mori po atë çmim që e kishin marrë para tij Pele, Majkëll Xhordan, Maradona, Shumaher, Nadal, Gjokoviç, Muhamed Ali, Usain Bolt, Majkëll Felps dhe … Lionel Mesi. CR7 ka fituar 5 herë Championsin, 4 herë Kupën e Botës për klubet, 3 herë Premier Ligën, 2 herë La Ligën, 1 herë Serinë A, si dhe Kampionatin Europian e Ligën e Kombeve me Portugalinë. Ka fituar 5 herë edhe Topin e Artë të “Frans Futbollit”. Çmimin e madh, Ronaldos ia dha pikërisht Florentino Perezi, njeriu që e solli në “Bernabeu” në 2009, me një rekord botëror të transferimeve.
Sfidanti.al