Penalltia me VAR, katër minuta e gjysmë me vonesë!

Jemi në Champions, jemi në Arenën e mrekullueshme të Shalkes, jemi edhe në epokën e VAR-it. Për më tepër, në një ndeshje mes dy skuadrave të forta si Shalke dhe supermilioneri Mançester Siti. i gjithë ky shkëlqim nuk mund të shmangë gabimet njerëzore apo teknologjike, siç e tregoi momenti i penalltisë së parë dhënë për vendasit.

Edhe pse luhej në Gjermaninë e saktësisë dhe organizimit perfekt, sërish gjyqtari u tradhëtua jo pak në vendimin që duhej të jepte, edhe sepse një ekran në anë të fushës nuk po punonte. Koha e matur, që nga çasti kur topi goditi krahun e mbrojtësit Otamendi të Sitit, e derisa u gjuajt penalltia, ishte plot 4 minuta e 26 sekonda!

Vonesat ishin që në shqyrtimin e aksionit, pastaj për të shuar protestat e të dyja skuadrave, fillimisht të gjermanëve që donin penalltinë, dhe pastaj të anglezëve që nuk e donin kundër, plus ankesat për kartonin e verdhë ndaj Otamendit. Ai që mori përsipër penalltinë, Nabil Bentaleb, u detyrua të priste 1 minutë derisa të bënte ekzekutimin e saktë.

Sfidanti.al