Mancester Siti vazhdon të zgjerohet nëpë botë dhe këtë e mundëson pikërisht City Football Group që në orët e fundit arriti të blejë një klub të Divizionit të tretë të futbollit kinez dhe bëhet fjalë për Sicuan Xhiuniu FC që përbëhet vetëm nga futbollistë vendas.
City Football Group është një kompani që zotëron jo vetëm Mancester Sitin, por ka edhe klube të tjerë në mbarë botën si New York City në SHBA, Melbourne City në Australi, Yokohama Marines në Japoni, Girona në Spanjë dhe Atletiko Torke në Uruguaj.
Mancester Siti zyrtarizoi mbylljen e këtij transaksioni në faqen e tij zyrtare në internet. Stadiumi ku skuadra kineze zhvillon sfidat e saj ka një kapacitet deri në 27 mijë vende, ndërkohë që ka edhe disa projekte për hapjen e shkollave sportive.
Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie, Ferran Soriano foli në lidhje me këtë marrëveshje që duket se është arritur më shumë për arsye financiare sesa për arsye sportive. ‘Kina ka një merkato të futbollit shumë të rëndësishme ku ne i kemi hedhur sytë prej kohësh. Besojmë shumë në të ardhmen e futbollit në Kinë dhe mezi po presim të nisim këtë projekt të ri-deklaroi Ferran Soriano.
sfidanti.al