Mesi kthehet i madh për Barçën, i afrohet rekordeve të Ksavit!

Në të ardhmen mund ta ketë trajner, gjithnjë nëse bindet që të qendrojë, por për momentin po mendon që ta kalojë në rekordet si lojtar. Lionel Mesi luajti ndeshjen e 750-të për Barcelonën, dhe të 500-ën në La Liga duke qenë shumë pranë arritjeve të Ksavi Hernandezit me fanelën “blaugrana”. Siç informon e përditshmja katalanase “Sport”, argjentinasi është 18 ndeshje larg rekordit të Ksavit për paraqitjet e përgjithshme me Barçën dhe 6 ndeshje larg rekordit në La Liga. “Mesi troket në portën e Ksavit”, titullon “Sport” që thekson se “numri 10 është në rrugën për t’u bërë lojtari me më shumë ndeshje, më shumë gola, më shumë fitore, më shumë asistë dhe më shumë tituj me Barcelonën”. Në sfidën e La Ligës në fushën e Hueskës, Mesi dha një asist të shkëlqyer për De Jongun që shënoi golin e fitores dhe katalanasit u ngjitën ne 28 pikë në renditje në vendin e 5-të, 10 pikë prapa Atletikos dhe me një ndeshje më shumë të luajtur. Ky ishte asisti i 300-të i Mesit në 500 ndeshje në kampionat, ndërsa ka 451 gola.

Sfidanti.al