Kampionët e botës cilësohen gjithnjë një skuadër tepër e fortë pretendente për Kupën e Botës në Katar, veçse trajneri Didie Deshamp e di sesa e vështirë do të jetë. Edhe pas fitores 2-0 ndaj Austrisë në Ligën e Kombeve (ku “gjelat” janë kampionë në fuqi), morali mbetet “i përmbajtur” sepse Franca ka kaq shumë probleme saqë është e vështirë t’i numërosh, jo më që t’i zgjidhësh. Kilian Mbape dhe Olivie Zhiru i dhanë “oksigjenin” tepër të nevojshëm ekipit të Deshampit në Paris, por periudha derisa të fillojnë ndeshjet e fazës finale të Botërorit do të jetë “një fushë e minuar”. Kilian Mbape është në luftë me Federatën për sponsorët, Pol Pogba është i dëmtuar dhe për më tepër në një skandal me të vëllanë me akuza të rënda, hetime, prokurori dhe polici. Jo vetëm kaq, por Deshampi ka edhe 12 lojtarë të dëmtuar, mes të cilëve Pogba dhe kapiteni Joris. “Retë po grumbullohen mbi skuadrën”, – titullon “L’Ekip”.
Sfidanti.al