Kapiten Mesi, merru me Suarezin që të mos tërbohet përsëri

Luis Suarez ka kohë që nuk ka bërë çmenduri me kafshime. Barcelona është lavdëruar me zë të lartë që e urtësoi “egërsirën” nga Uruguaji, që kishte përdorur dhëmbët për të kafshuar, kur luante për Ajaksin, Liverpulin si dhe në Botërorin 2014 me kombëtaren kundër Italisë.

Gjithsesi, “huqi del me shpirtin” dhe Suarez me siguri ka qenë disa herë fare pranë humbjes së kontrollit, por ndoshta ia ka dalë të përmbahet, duke qenë në klubin më të madh të karrierës së tij (ndonëse edhe Liverpuli nuk quhet më pak). Këtë të diel nuk arriti, sidoqoftë, të përmbahej deri në fund, ndërsa mendoi se u provokua nga shoku i skuadrës, Gerard Pike.

Mbrojtësi i qendrës, siç duket, iu ankua Suarezit për humbjen e ndonjë rasti, apo ndonjë gabim në lojë në disfatën ndaj Betisit, por uruguajani nuk e priti mirë kritikën. “Dëshiron të më kritikosh për një pasim, – ishin fjalët e tij, që u kapën nga kamerat, – mos u përzie me mua”. Këto fjalët e fundit, po i themi me zbutje sepse Suarez përdori një fjalë që nuk e shkruan lapsi. Ndoshta i mbetet Mesit që të ndërhyjë si kapiten dhe si shok i ngushtë i Suarezit, për të qetësuar situatën.

Sfidanti.al