Guardiola heq presionin nga lojtarët, kritikon tifozët e tij!

Një nga detyrat kryesore të një trajneri është që të krijojë kushte sa më të mira psikologjike për futbollistët e tij. Pep Guardiola e ka pasur gjithnjë parasysh këtë gjë, duke mos u bërë kurrë protagonist i sherreve (përveçse me “sherranjosë” si Ibra apo Eto), e duke mos pranuar të japë premtime në emër të skuadrës. Kështu bëri edhe në prag të duelit vendimtar të Championsit ndaj Totenhemit.

“Nuk kam ardhur këtu për të fituar Championsin, – ishte përgjigja e zgjuar e katalanasit të Mançester Sitit, në konferencën për shtyp, – kam ardhur që ekipi të luajë atë futboll që po luan këta 20 muaj. Pastaj, fitohet apo jo Championsi, nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga kundërshtari, edhe nga momenti. Dëshira ime është që ta fitoj Championsin, por unë e di që në futboll më shumë ndodh që të eleminohesh sesa të fitosh trofeun”.

Mançester Siti humbi 0-1 në Londër ndaj Totenhemit, në çerekfinalen e parë, pra i duhet një fitore me dy gola diferencë për t’u kualifikuar. Guardiola ka një porosi për tifozët, theksuar fort. “Dua të shikoj nëse tifozët tanë vërtet duan që ne të shkojmë në gjysmëfinale, – ishin fjalët e Pepit, – dua që ta tregojnë në stadium, pasi përkrahja nga tifozët kundërshtarë për ekipet e tyre, është e jashtëzakonshme. Dua që tifozët tanë të krijojnë atë atmosferë si në fitoren 2-1 ndaj Liverpulit”.

Sfidanti.al