Euro 2020: Mbrëmja e çmendur krijoi çiftin Angli-Gjermani!

Kohët mund të kenë ndryshuar, kundërshtari nuk duket aq hijerëndë sa atëherë, por gjithsesi titulli i tabloidëve në Londër ishte kuptimplotë: Na pret Gjermania! Anglia, shpikëse e futbollit, rrezikon një tjetër eleminim para kohe në një kampionat të madh, siç është Europiani, ndërsa kujtimet nuk janë aspak të mira.

Një çift të tillë, Angli-Gjermani të martën në orën 21:00 në “Uembli” të Londrës, e krijoi nata e çmendur e grupit F, me barazimet 2-2 mes Gjermanisë e Hungarisë në Mynih, dhe Francës ndaj Portugalisë në Budapest. Një dramë e vërtetë ajo në Bavari, ku skuadra e Joakim Lëvit ishte e eleminuar thuajse gjatë gjithë 90 minutave, duke qenë dy herë në humbje, e duke shpëtuar “lëkurën” vetëm në 84’ me golin e Leon Goreckës.

Hungarezët, aspak të vlerësuar para këtij turneu, largohen me kokën lart, me dy barazime 1-1 me francezët e 2-2 me gjermanët. Adam Shalai dhe Andras Shefer shënuan golat për “magjarët” në 11’ e 68’, Haverc në 66’ e Gorecka në 84’ u përgjigjën për “teutonët”. Gjermania pati epërsi dhe krijoi mjaft raste, por presioni ishte tepër i madh në mbrëmjen me reshje shiu në “Alianc Arena”. Atmosferën tepër politike në prag e ndjenë më shumë vendasit sesa miqtë.

Në Budapest, ndërkaq, u luajt një klasike, siç është bërë dueli franko-portugez. Dy gola për t’u shënuar nga Karim Benzema që festoi kthimin në kombëtare, por edhe më shumë për t’u shënuar për Kristiano Ronaldon, ndonëse vetëm me penallti, pasi ai u bë shënuesi më i mirë europian i turneve të mëdhenj (europianë+botërorë) me 21 gola ndaj 19 të Miroslav Kloses, si dhe barazoi rekordin botëror të golave me kombëtaret, 109 gola, që e ka bashkë me iranianin Ali Daei.

Sfidanti.al