Ronaldo kap edhe dy rekorde, sa e vështirë të numërohen!

U bë rekordmen botëror i golave me kombëtaren, baraz me Ali Daein nga 109, kaloi Miroslav Klosen si europiani që shënon më shumë gola në finalet e turneve të mëdhenj, botërorë dhe europianë, duke pasur 21 ndaj 19 të gjermanit. Kjo, pas dy golave me penallti që shpëtuan Portugalinë në Europian duke i dhënë barazimin 2-2 me Francën kampione të botës.

Kristiano Ronaldo është padyshim një legjendë e madhe, ndër më të shquarat e futbollit botëror, dikush që ka 1074 ndeshje në karrierë dhe 783 gola zyrtare, si dhe 178 ndeshje me kombëtaren me 109 gola. Ai është shënuesi më i mirë i Championsit me 134 gola, ka shënuar më shumë se 100 rrjeta në Premier Ligë, La Liga dhe Serinë A, si askush tjetër, është europiani me më shumë Topa të Artë (5) dhe Këpucë të Arta (4), ka fituar 32 trofe në karrierë. Ka fituar 5 Champions dhe 7 tituj kampionë, si dhe Europianin e Ligën e Kombeve me Portugalinë.

Golat e tij me kombëtaren janë fenomenalë. Në 2013 pati 10 gola në 9 ndeshje, në 2016 arriti në 13 gola në 13 ndeshje, në 2017 ishte në shifrat 11-11, në 2019 arriti kulmin me 14 gola në vetëm 10 sfida, ndërsa këtë vit është në 7 gola në 8 ndeshje dhe mund të përmirësohet. i dyti pas tij në renditjen e shënuesve me Portugalinë është Pauleta që ka shënuar më pak se gjysmën e golave të CR7-ës (47). Euzebio që ka 41 gola, është vetëm në një statistikë mbi të, me mesatare më të mirë me 0.64 gola për ndeshje ndaj 0.61 që ka Kristiano.

Ronaldo do të donte të arrinte një tjetër rekord, atë të më shumë ndeshjeve për ekipet kombëtare, që mbahet nga lojtari i Malajzisë, Soh Çin An me 224, ndërsa portugezi është në 178, pra 46 ndeshje më pas. Për t’ia dalë ndoshta do t’i duheshin të paktën 4 vjet në kombëtare, dhe në formë të mirë. Sidoqoftë, ai me shumë gjasë do të kalojë Sergio Ramosin e Spanjës që ka 180 ndeshje, edhe pse qendërmbrojtësi pritet të vazhdojë të luajë për iberikët.

Sfidanti.al