Ardjan Takaj i nënshtrohet një ndërhyrjeje në zemër

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka kaluar një moment të vështirë shëndetësor, duke u shtruar me urgjencë në një spital në kryeqytet, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Sipas raportimeve të mediave, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar pas ndeshjes që Skënderbeu zhvilloi të dielën e kaluar kundër Dinamos. Takaj ka shfaqur probleme dhe është transportuar menjëherë drejt spitalit, ku mjekët kanë ndërhyrë për të trajtuar situatën. Për momentin nuk ka ende një informacion të qartë mbi gjendjen e tij pas ndërhyrjes. Në kampin korçar priten me shqetësim rezultatet e ekzaminimeve dhe analizave mjekësore, ndërsa të gjithë shpresojnë për një rikuperim sa më të shpejtë të presidentit.

Muajt e fundit kanë qenë veçanërisht të vështirë për Takajn edhe në aspektin personal. Më 29 qershor, ai humbi nënën e tij, një ngjarje e rëndë familjare që i ka shtuar ngarkesën emocionale. Ndërkohë, edhe Skënderbeu po përjeton një sezon me jo pak vështirësi në kampionat. Pavarësisht pengesave të hasura gjatë rrugëtimit, skuadra korçare ka arritur të ngjitet në vendin e pestë të renditjes, me 14 pikë të grumbulluara. Tashmë, vëmendja është larguar përkohësisht nga rezultatet sportive, pasi prioriteti është shëndeti i Ardjan Takajt.