NBA, Feniksi bën mrekullinë në sekondën e fundit me Klipersat!

Mund të ndodhë edhe kështu, si një çmenduri e vërtetë. U zgjidh kur kishin mbetur edhe 0.9 sekonda deri në mbyllje, ndeshja e dytë finale e plej ofit në Konferencën e Perëndimit në NBA, dhe ia dolën vendasit. Los Anxhelos Klipersat po kryesonin 103-102 ndaj Feniks Sansit, kur këta të fundit siguruan një rivënie të topit në lojë dhe aty ndodhi mrekullia. Xhej Krauder dha pasimin dhe Deandre Ejton e zhyti topin në kosh, ndërsa sirena nisi të bjerë. Ishte apo nuk ishte kosh? Gjyqtarëve iu desh plot 1 minutë për të dhënë vendimin, diçka që kujtoi përcaktimet me VAR në futbollin europian, dhe përgjigja ishte “Po”.

Vetëm pas kësaj pati festime të çmendura. Feniksi tani kryeson 2-0 me fitore në finalet e Perëndimit, ndërsa kampione shpallet skuadra që fiton e para 4 herë. Ejton luajti një ndeshje të madhe duke shënuar 24 pikë e duke kapur 14 topa në tabela, por nuk ishte vetëm ai. Devin Buker pati 20 pikë, ndërsa Kameron Pejn arriti maksimumin e tij me 29 pikë dhe 9 asistë. Për Klipersat më i miri ishte Pol Xhorxh me 26 pikë, 6 topa në tabela e 6 asistë, Xhekson pati 19 pikë dhe kroati Ivica Zubac 14. Gjithsesi, ekipi nga Kalifornia ndjeu mungesën e yllit kryesor, Kauai Leonard, që ishte i dëmtuar dhe shpresohet të kthehet në ndeshjen tjetër. Edhe Feniksi ka një mungesë të rëndësishme si Kris Pol. Dy sfidat e radhës luhen në Los Anxhelos.

Sfidanti.al