El Klasiko, Ksavi dhe Ançeloti paskan parë ndeshje të ndryshme!

Këtu nuk ka miqësi edhe kur luhen miqësore. i pati të gjitha “El Klasiko” i verës mes Barcelonës dhe Realit, me spektaklin stinor që u dha në Las Vegas. Në tokën amerikane, më shumë shkëlqyen yjet katalanas sesa ata madrilenë, ndonëse rezultati ishte vetëm 1-0, dhe ndonëse të dy trajnerët u duken se kishin parë ndeshje të ndryshme. Barça fitoi me golin e shkëlqyer të brazilianit Rafinja, njëri prej përforcimeve të verës, ndërsa kërshëria ishte tepër e madhe për të parë yllin kryesor të ardhur këto ditë, legjendën polake, Robert Levandovski. Katalanasit dominuan në elementët kryesorë të futbollit, në gjuajtje duke pasur 16 ndaj 9 të rivalëve, madje gjuajtjet në portë ishin 6-0 dhe goditjet nga këndi 8-0 gjithnjë në favor të ekipit të trajnerit Ksavi.

“Dalim me përshtypje shumë të mira nga kjo ndeshje, – tha tekniku “blaugrana”, – patëm epërsi, luajtëm më mirë sesa Reali dhe e merituam fitoren. Në kënaq shumë fitorja ndaj Reali, na jep më shumë moral. Jam optimist që blerjet e reja do të përshtaten shpejt me ekipin, ndonëse ne kemi vetëm 2 javë që punojmë dhe do të vazhdojmë të përmirësohemi. Një Barcelonë e mirë”.

Karlo Ançeloti, ndërkaq, nuk u shpreh aspak i zhgënjyer pavarësisht humbjes. “Ndeshja nuk ishte e keqe, – tha italiani, – patëm ritëm të mirë, sidomos në pjesën e parë. Bëmë disa prova për të qenë gati për sezonin. Mendoj se ishte një lojë e ekuilibruar, ndonëse kur luan El Klasikon asnjëherë nuk është e lehtë. U përpoqa t’u jap minuta të gjithë lojtarëve për të përmirësuar gjendjen fizike. Ndeshja më pëlqeu, ndërsa Barcelona është shumë e fortë”.

“Rafinjazo në Las Vegas, – titullon e përditshmja e Madridit, “Marka”, – nuk pati miqësore të verës! El Klasiko pati tension dhe sherre!” Të përditshmet e Katalonjës merren më shumë me blerjen e mundshme të mbrojtësit Zhyl Kunde nga Sevilja, sesa me fitoren në El Klasiko. Natyrisht, kjo ishte vetëm një ndeshje vere, por duket se Barcelona mund ta bëjë parakalimin këtë sezon ndaj Realit, që është kampion i Spanjës dhe i Europës.

Sfidanti.al