Formula 1, Verstapeni vrapon drejt titullit të dytë radhazi i ndihmuar nga … Lëklerku!

Meritën personale e ka që të gjithën dhe jo më kot është kampioni i botës në fuqi. Maks Verstapen triumfoi në Çmimin e Madh të Francës duke krijuar një diferencë prej 63 pikësh me vendin e dytë, ndërsa forcoi pozitat në krye të renditjes së Botërorit në Formula 1. Piloti holandez i Red Bullit cilësohet për momentin personaliteti më i spikatur i këtij sporti, dhe që i merr maksimumin një makine tepër të mirë, edhe pse hera-herës disi më prapa se Ferrari.

“Makina ishte e shpejtë sot, – tha Verstapeni pas garës, – natyrisht Sharli (Lëklerku) ishte i pafat. Shpresoj të jetë mirë, por unë u mora me garën time dhe u kujdesa për gomat. Ne ende kemi punë për të bërë me makinën, sidomos kur vjen puna për një xhiro të vetme, ndaj duhet të vazhdojmë të djersitemi”. Në pistën franceze, Ferrari “vrau veten”, këtë herë jo nga problemet teknike siç ndodhi herën e kaluar me Karlos Sainzin, por me gabimin e Sharl Lëklerkut që doli nga gara pas 18 xhirove duke humbur kontrollin e makinës. Mercedesi këtë herë ishte shumë më mirë me Hamiltonin që doli i dyti dhe Rasëlli i treti.

Sfidanti.al