De Brujn e Zhezus, Guardiola ankohet për arbitrat pas barazimit

Nuk u humbën vetëm 2 pikë, por edhe 2 lojtarë në fushën e Kristël Palasit. Jo vetëm mori fund seria prej 18 fitoresh radhazi e Mançester Sitit në Premier Ligë, por edhe u morën lajme shqetësuese nga infermieria, ndërsa Pep Guardiola ngre zërin kundër arbitrave.

Në shënjestër të tij ishte Xhonatan Mos, që drejtoi ndeshjen që përfundoi 0-0 në stadiumin “Selhërst Park”, pasi dy nga futbollistët kryesorë pësuan lëndime.

I dëmtuar ishte lojtari-kyç i ekipit, Kevin De Brujn, pas një ndërhyrje tepër të ashpër të bërë nga Xhejzën Pançën (Jason Puncheon), me të dy lojtarët që u lënduan. Besohet se De Brujn do të humbasë vetëm ndeshjen e sotme ndaj Uafordit, pasi dëmtimi ishte thjesht një goditje e fortë.

I dëmtuar edhe sulmuesi tjetër tepër i vlefshëm, Gabriel Zhezus, më shumë për mungesë fati, pasi u rrëzua keq nën presion nga një lojtar vendas. Në stadium pati polemika pasi gjyqtari Mos nuk lejoi fizioterapistët të hynin në fushë për ta ndihmuar.

Zhezus u ngri, por nuk vazhdoi dot më shumë se 10 minuta, dhe atëherë fizioterapistët hynë në fushë duke e ndihmuar që të largohej nga ndeshja. Guardiola njoftoi se braziliani do të mungojë të paktën 2 muaj, një humbje e madhe për Sitin.

Në takimin ndaj Totenhemit, De Brujn shpëtoi me fat nga dëmtimi, pas ndërhyrjes së Ejlit (Alli), dhe po ashtu shpëtoi Gyndogan në përballjen ndaj Njukasëllit.

“Unë e admiroj lojën fizike të kampionatit, por gjithsesi arbitrat duhet që t’i mbrojnë lojtarët, – u shpreh Guardiola, – kjo është e vetmja gjë që po kërkoj. E di se njerëzit këtu dënojnë më shumë simulimet dhe kanë të drejtë. E di se në këtë vend lejohet më shumë kontakt fizik sesa në vende të tjera, dhe sërish jam dakord, por gjithçka ka një limit”.

Sfidanti.al