Ndodh ndonjëherë që disa yje shkëlqejnë fort në Arenat e NBA-së. Kështu ndodhi edhe në fillim të vitit, kur Xhejms Harden, Kris Pol, Rasëll Uestbruk, Kajri Irving dhe Lou Uilliams, ishin në nivel sipëror.
Harden e Pol mbajtën mbi supe Hjustonin që fitoi vetëm pas dy kohëve shtesë, pas 58 minutave, ndaj Los Anxhelos Lejkërsave, edhe pse po luante në fushën e vet. Rezultati ishte 148-142
Harden shënoi 40 pikë në 40 minuta, shërbeu 11 asistë, vodhi dy topa dhe bllokoi dy gjuajtje, por përfundimisht ndeshja u vendos në dy kohë shtesë nga Kris Pol, që shënoi 15 pikë në ato 10 minuta, nga 28 gjithsej. Pol kapi edhe 6 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë, duke e treguar gjithë vlerën e tij, dhe arsyen se përse Hjustoni e mori nga Los Anxhelos Klipersi. Problem për Hjustonin pasi Harden doli nga fusha i dëmtuar.
Nga Klipersat është larguar Pol, por kanë mbetur të tjerë. Suksesi 106-98 ndaj Sharlotës nuk qe aspak i lehtë, dhe u desh jo vetëm një Blejk Grifith në formë (25 pikë), por sidomos Lou Uilliams. Ky i fundit shkëlqeu me 40 pikë dhe 8 asistë, një nga lojtarët më të mirë të mbrëmjes.
Si mund të humbësh një ndeshje kur të tre yjet në ekip luajnë shumë mirë? Kështu i ndodhi Oklahomës në Arenën e vet, por kjo mund të ndodhë kur plot 10 lojtarë shënojnë shumë pikë për kundërshtarin. Rasëll Uestbruk realizoi tripëll dabëllin e 91-të në karrierë ndaj Dallasit, me 38 pikë, 15 topa në tabela e 11 asiste, dhe nuk gjuajti aspak keq. Në krah të tij, Pol Xhorxh shënoi 25 pikë dhe Karmelo Entoni shtoi 21.
Dallasi u përgjigj me 10 lojtarë në formë, udhëhequr nga Barns, Smith Xhunior e Novicki dhe ia doli të fitonte në një fund për “infarkt” me shifrat 116-113.
Nuk mund të mbetej pa u dalluar Kajri Irving, dhe në fund të fundit, kjo ishte arsyeja që ai u largua nga “hija” e Lebron Xhejmsit. Lideri i ri i Sëlltiksëve shënoi 28 pikë dhe bëri pak nga të gjitha në suksesin shumë të vështirë, 108-105 ndaj Bruklinit, ndonëse luhej në Boston.
Sfidanti.al