Laçi i shkakton një tjetër humbje Vllaznisë, duke i marë pikë të plota nga përballjet në dy fazat e para të kampionatit, si dhe rihapi në një farë mënyre garën për titullin. Veç të tjerash, skuadra e Duros u tregoi shkodranëve, se ndoshta nga mungesa e gjatë, duket se kanë harruar rrugën për të fituar kampionatin. Kuptohet që entuziazmi i kthimit të Vllaznisë në rreshtin e parë të Superiores ishte mëse i natyrshëm, por tashë duket se po del jashtë kontrollit. Së fundi kemi dëgjuar të artikulohet gjithnjë e më shpesh, se kundërshtari i vetëm i Vllaznisë është vetvetja. Nëse do të shërbente për të frenuar euforinë, mundet edhe të na e pranonte veshi në ndonjë nga variantet e saj, por ka shumë mundësi që të ketë bërë efektin e kundërt, duke e kthyer në shprehjen më pavlerë që sorollatet në ambjentet rreth një fushe futbolli. Vllaznia ka vuajtur shumë për t’iu afruar lartësisë së emrit të saj dhe tashmë duhet të konsiderojë me modesti si kundërshtarë potentë, cilindo emër që i sjell kalendari, ose me fjalë të tjera, të gjithë që e përbëjnë dhe e rrethojnë, duhet të jenë pak më shumë Bërdariç në sjelljen e tyre. Në të kundërtën e përjetuan më keq se sa duhet një barazim me Kastriotin, shpërthyen në delir duke treguar se si e gatuan baltën e Elbasanit për të ndalur Partizanin, duke i kështu dhënë vetes atributet e Zotit… dhe në fund shkoi Laçi e i mundi në shtëpi duke dominuar.
Madje edhe nëse e konsideron disfatën e fundit si një tragjedi që nuk mund t’I ndodhë një skuadre të madhe, kjo në vetvete është një vetëkënaqësi fatale. Vllaznia është një emër i madh i futbollit shqiptar, por ende jo një skuadër e tillë. Padyshim që ka ndryshuar, por në fazat e mbetura do të ketë kundërshtarë që duket se po stabilizohen dhe nuk do të bëjnë më komplimente. Laçi është i përbërë nga elementë që mund të fitojnë kudo dhe në garë me të janë Partizani, Kukësi, Teuta, Tirana e të tjerë që nuk kanë asgjë më pak. “Vllaznia ka kundërshtare vetëm vetveten”? Mjafton të dish të numërosh me gishta dhe kjo shprehje të rezulton e pavlerë… Për 18 javë të tjera, kjo skuadër do të ketë kundërshtarë gjysmën e Shqipërisë.