Superliga e Europës duket se ka mbetur vetëm projekt, pasi është e sigurtë që nuk do ta fillojë aktivitetin, të paktën tani shpejt dhe kjo është edhe një fitore e madhe e Dukës së futbollit shqiptar, i cili ka disa ditë që ndodhet edhe fizikisht në zyrat e UEFA-s, për t’i dhënë një dorë Ceferinit në këto moment delikate. Dhe në fund, siç është bërë tashmë një rit i zakonshëm, presidenti ynë doli me një shkrim entuziast me titull: “Super” game over. Kështu, pasi shprehu kënaqësinë për dështimin e iniciativës së nxituar për krijiumin e të ashtuquajturës Superligë, shef Duka ka përshëndetur fort kthimin e arsyes tek klubet angleze për t’u tërhequr nga kjo aventurë. Ndërsa paragrafi përmbyllës i letrës së fundit ishte vërtetë spektakolar: “Jam i bindur se si në çdo moment të vështirë që kemi hasur, edhe nga kjo sfidë futbolli doli edhe më i fortë”.
Pra pas humbjes me Fidel Yllin, të cilin nuk e pengoi dot të vihej në krye të Komitetit Olimpik, Duka fitoi bindshëm ndaj familjes Anjeli, kapi mat me 2-3 lëvizje Florentino Perezin dhe doli rëmi me gjashtë anglezë që tani po i përulen plot respekt princit nga Shqipëria. Dhe tani, padyshim që e ka të gjithë të drejtën e Zotit të vazhdojë luftën me KOKSH-in e Fidelit, të cilën edhe po nuk e fitoi aq bindshëm sa garën për të frenuar çmendurinë e Realit dhe Juves, e ka menduar një lëvizje surprizë: Ta nxjerrë fare futbollin nga Komiteti Olimpik, duke e shpallur territorin ku ndodhet selia e tij një principatë të pavarur. Ndërsa për ta udhëhequr pa kokëçarje edhe për shumë vite të tjera pas largimit të Ceferinit ka sajuar një statut të ri, sipas të cilit, zyra e tij ka të drejtën të emërojë delegatë në asambletë e ardhshme zgjedhore. Europa dështoi të ngrinte një mbretëri të futbollit… rroftë mbreti ynë.