Jemi në kohë maskash dhe një maskë më shumë është organike për lojën tonë me hipokrizinë. Sapo ka vënë këmbë sistemi VAR edhe në tokën tonë të futbollit, të gjithë u gdhinë të lumtur! Presidentë, trajnerë, futbollistë, madje dhe vetë arbitrat dolën para ekranit dhe mbushën faqet e gazetave me një valë festive dehëse, ngaqë më në fund shpëtuan nga “djalli” dhe nuk do të bëjnë gafa njerezore, gabime komike dhe tragjike! Por, a është e vërtetë qe e duam me zemër këtë VAR-in apo na kishte marrë uria financiare për afro 1,2 milion euro ?
Po bëhen afro dy dekada që sistemi i kish “tredhur “ arbitrat në atë farë feje, sa duket shumë e vëshirë, gati e pashpresë, të besohet se teknologjia do të jetë kisha e futbollit për të larë mëkatet e deritanishme. Arbitrat , më shumë se të tjerët, kanë një thes me arsye për të mallkuar këtë sistem “drejtësie” që erdhi krejt para kohe, edhe pse çeku 1 milion e kacafiu erdhi në momentin më të bekuar..
Çfarë spektakli i mrekullueshëm qysh në javën e debutuese të VAR-it! Pothuajse të gjithë arbitrat gabuan, sikur t’u kishin dhënë porosi nga lart, dhe VAR-i që triumfonte mbi zellin tonë për të vazhduar serialin e gabimeve. Edhe në UEFA ishin mrekulluar që VAR-i shqiptar kishte shpërthyer tamam mu në lindje, aq sa kanë premtuar se do të na sjellin para të tjera, nëse nuk ia heqim bulonat “robotit” kur VAR-i të fusë hundët në çështje delikate…
Sfidanti.al