HALO, sistemi që shpëtoi Groszhanin, Leklerkun dhe Hamiltonin!

Ironia e fatit është që shefi i të mbijetuarit të së dielës, pikërisht Toto Volf, nuk e donte atë pjesë “të shëmtuar” mbrojtëse në një makinë të Formula 1. Numri 1 i Mercedesit, ndoshta mund të kishte qenë shkaku që Ljuis Hamilton të ishte bërë për spital apo ndoshta të kishte rrezikuar seriozisht jetën, pasi ishte pikërisht ajo “shëmtirë”, sistemi HALO, që e shpëtoi anglezin nga aksidenti i tmerrshëm në Monza me makinën Red Bull të Maks Verstapenit. Në 2018, kur HALO u vendos të përdorej, edhe një legjendë e Formula 1, si Niki Lauda, e kritikoi duke thënë se “kjo gjë shkatërron ADN-në e këtij sporti”. Gjithsesi, më mirë të shkatërrohet “kodi gjenetik” i sportit sesa të shuhen jetë pilotësh dhe HALO deri tani ka shpëtuar të paktën 3 pilotë, Romen Groszhanin, Sharl Lëklerkun dhe Ljuis Hamiltonin. Me siguri, Volfi dhe Lauda mund të jenë penduar, por është njerëzore që të gabosh.

Sfidanti.al