Antonio Konte nuk e konsideron të mbyllur historinë e tij me Juventusin. Trajneri italian beson se një rikthim në Torino është vetëm çështje kohe, duke lënë të hapur mundësinë për t’u ulur sërish në pankinën e bardhezinjve. Në një intervistë për “Cronache di Spogliatoio”, Konte foli hapur për lidhjen e veçantë me Juventusin dhe zbuloi se në të kaluarën ka qenë dy herë shumë pranë rikthimit. “Mendoj se herët apo vonë rrethi duhet të mbyllet. E di që kam lënë diçka dhe besoj se një ditë do ta mbyllim atë rreth me Juventusin”, deklaroi trajneri italian.
Konte zbuloi se mundësitë e para për ribashkim u shfaqën kur Juventusi vendosi të emëronte Mauricio Sarrin, ndërsa herën e dytë kur drejtuesit zgjodhën Tiago Motën. Në të dyja rastet, ai ishte pa skuadër, por përfundoi fillimisht te Interi dhe më pas te Napoli. Megjithatë, rrëfimi më interesant lidhet me vitin 2009, kur Konte ishte ende trajner i Barit dhe u kontaktua nga drejtuesit e Juventusit për të marrë drejtimin e skuadrës. Ai tregoi se kishte paraqitur idetë e tij taktike me skemën 4-2-4, por drejtuesit kishin rezerva për pozicionin e brazilianit Diego, i cili kërkonte të luante në një sistem 4-3-1-2. “Imagjinoni çmendurinë time! Dikush tjetër do të kishte firmosur menjëherë, duke kaluar nga Bari te Juventusi. Por unë nuk bëj kompromise dhe nuk premtoj gjëra që nuk mund t’i realizoj”, rrëfeu Konte.
Në fund, ai vendosi të largohej nga bisedimet, duke u shprehur se nuk ishte trajneri i duhur nëse lojtarët do të përcaktonin mënyrën se si duhej të luante skuadra. Një histori që tregon se marrëdhënia mes Kontes dhe Juventusit ka ende kapituj të pashkruar. Dhe këtë herë, trajneri italian duket se nuk e fsheh dëshirën për një rikthim në Torino.

