Kur të tradhëtojnë, sikur të presin krahët! Partizan, zbulo.. misterin?

Pasi Partizani pësoi 4 gola në Kukës, kishte vetëm një dilemë:  meritë e madhe e Kukësit apo kapitullim i skajshëm i Partizanit? Pasi dëgjuam fjalët shpuese të Jasir Hasanit, futbollistit që ka treguar vizion në leximin e lojës dhe   talent me topin, dilema është shndërruar në trilemë . Shpërthim i Kukësit, dremitje 90 minutëshe e Partizanit, apo me  keqja fare…tradhëti mes “demave”. Asani, që me topin ka treguar koifidencë, me fjalët qënka tejet i hidhur. Fraza e tij, pas humbjes me përmasa  kampione në Kukës, ka shkaktuar më shumë dhimbje edhe se 4 golat:

“  Kur të tradhëtojnë, është sikur të të presin krahët. Mund t’i falësh,  por jo edhe t’i përqafosh..” Kujt i drejtohen fjalët e tij plot helm që e bëjnë edhe më të frikshme humbjen XXL ?  Ndihet i tradhëtuar nga trajneri Dalipi që e zëvëndësoi, apo ndihet i tradhëtuar nga shokët i tij? Nga cilët, nga  Batha apo  portieri Hoxha? Apo nga dikush tjetër .. Cilido qoftë, fraza e Asanit është e hidhur, madje si rrufe në qiell të pastër për ekipin , i cili  kishte 5 javë që dehej me fitore në tokë dhe ngjitej në qiellin e shtatë për të festuar…

Pas dramës në Kukës, sikur të hipën oreksi ta dëgjosh prapë atë kasetën euforike se pas ikjes së Starovës në ekip plasi harmonia, futbollistët gëzonin më shumë liri, sa ekipi nuk do të ndalej më. Gati sa nuk i jepnin një shkelm mirënjohjes minimale dhe të thonin haptazi e jo me zë të ulët  : Sa mirë që larguan Starovën, me Dalipin jemi bërë më dem se demi! Por, le të mos largohemi nga fjalët sfiduese te Asanit. Lakonike, depërtuese, aq sa edhe mund të qortohet për kurajen . Sikur  të ishin thënë në një tokë që mëkon  besimin përgjatë  lojës, aty ku fanatikët përgjojnë humbjet dhe fjalët që dalin nga barku i ekipit, kjo disfatë e spikatur nuk do të kalonte kaq lehtë. Kaq ëmbël, me dëshpërimin e vetmuar të një futbollisti, që e dinim se kishte talent vetëm kur “fliste” me topin. Të një futbollisti me emrin Jasir, që guxoi ca si shumë. Aq sa kaloi edhe orbitën e lejuar për shpjegimin e një humbjeje, ku tradhetia morale ia kaloka asaj teknike…

Sfidanti.al