Duka, Levandovski i futbollit shqiptar, përzë derbin e 66 trofeve

Kur themi derbi, na vjen në mend vetëm Tirana – Partizani, i cili së fundi është kthyer në simbolin e futbollit shqiptar, më së shumti për hir të koreografisë dhe entuziazmit të tifozëve. Në fakt, prej tetë vitesh na ka munguar një personazh tjetër i derbeve të kryeqytetit, Dinamo, një skuadër që këtij futbolli i ka dhuruar shumë ëmbëlsi që në ditën e themelimit. Dhe meqenëse kishim tetë vite që na mungonte një Dinamo – Partizani, FSHF kishte vendosur që për të hapur javën e katërt të kampionatit të sivjetshëm, dy skuadrat legjendare do të përuronin tapetin e ri të Stadiumit Kombëtar. Më pas vendimi u anulua, sepse duhej ruajtur ende për ndeshjen me Poloninë, e cila është shumë e rëndësishme për ecurinë e Kombëtares tonë.
Por, asnjë nga këto arsye nuk ishte e vërtetë dhe mbi të gjitha askush nuk çuditet më për mungesën e seriozitetit të agallarëve të futbollit tonë. Fusha e re e stadiumit të Tiranës, që është një nga më të shtrenjtat e globit nuk u kursye për Paloninë, por do të përurohej nga Levandivski i Federatës Shqiptare të Futbollit. Pronari Duka vendosi ta shkelë vetë i pari tapetin e ri dhe me këtë rast “qerasi” edhe miqtë nga UEFA, duke mbledhur në të njëjtën fushë, të gjithë ata që kanë në dorë investimet në institucionin që drejton futbollin europian. Dhe kuptohet që komandantit arrogant nuk i interesoi as kthimi i Dinamos dhe as respekti i Partizanit. E rrotulloi topin vetë, i krijoi imazhin vetes sikur po fluturonte në “Air Albania”, shijoi durtrokitje dhe admirimin e përulur të punonjësve të tij, një pjesë e të cilëve e ndoqën ndeshjen inauguruese me lotë në sy dhe në fund u largua me hapin e tij të rëndë, duke injoruar derbin Dinamo – Partizani, futuesve të 66 titujve të mëdhenj në historinë e futbollit shqiptar.